Në ditët e sotme përdorimi i internetit është bërë pjesë e pandashme e aktivitetit ditor të fëmijëve. Teknologji të tilla, pavarësisht se janë të vlefshme dhe të nevojshme, mund t'i ekpozojnë fëmijët ndaj një sërë rreziqesh dhe abuzimesh. Disa nga rreziqet me të cilat fëmijë mund të ndeshen në internet janë:

Cyber-bulling

Ky është një term i përdorur për të përcaktuar format e ndryshme të abuzimit psikologjik gjatë aktivitetit online të fëmijëve. Cyber bullying është terminologji që përdoret kur njerëzit përdorin internetin për të kërcënuar, ngacmuar, apo poshtëruar dikë duke dërguar mesazhe,fotografi dhe video.

Shtytja e fëmijëve në marrëdhënie seksuale (Grooming)

Është përgatitja dhe manipulimi psikologjik i një fëmijë me qëllim shfrytëzimin seksual. Hapi i parë që bën një groomer (abuzuesi) është fitimi i besimit të fëmijës me qëllim paraqitjen veprimeve të tij si të dobishme për vetë fëmijën. Kjo mund të ndodhë në kontekstin e komunikimit privat nëpërmjet programeve të komunikimit (messenger, dhoma chati etj), por mund të ndodhe dhe në rrjetet sociale.

Një groomer (abuzues) mund të manipuloje të dhënat e tij në rrjetet sociale për të krijuar më lehtë marrdhëniet me fëmijët. Qëllimi i këtyre veprimeve i një groomeri është që të rregullojë një takim me fëmijën ose ta manipuloje atë me qellim përdorimin e tij për pornografi etj.

Pornografia e fëmijëve në internet

Pedofilia në internet është ngushtësisht e lidhur me pornografinë e fëmijës, e cila është një ndër format më të rrezikshme të dhunës dhe ekspozimit seksual të fëmijës. Ngjarja bëhet më e rëndë, pasi një material që hidhet në internet qëndron aty për të gjithë jetën, ndaj qoftë edhe ekspozimet padashje të fëmijës, mund të shkaktojnë probleme për të në të ardhmen.

Pornografia e fëmijës përfshin mbajtjen, prodhimin, botimin, shpërndarjen e imazheve dhe videove, me çdo mjet apo formë, të fëmijës që është duke u angazhuar në një marrëdhënie seksuale, erotike apo në një moment intim, jo detyrimisht me një të rritur, por që qëllimi final është shfrytëzimi i fëmijëve për kënaqësinë seksuale të të rriturve.

Vitet e fundit pornografia me fëmijët është zgjeruar si term duke përfshirë edhe imazhet e gjeneruara nga komjuteri, pra që nuk janë imazhe të vërteta të fëmijëve, por që tregohen fëmijët në pozicione nudo, apo sugjestionuese erotike apo duke kryer marrëdhënie seksuale. Një aspekt që duhet mbajtur mend është se kur adoleshentët shkëmbejnë foto të fotove të tyre intime, kjo nuk konsiderohet pornografi e fëmijës. Por nëse e njëjtja foto i dërgohet një personi tjetër apo disave, ajo konsiderohet pornografi, pavarësisht moshës së personit.

Sexting (Dërgimi i mesazheve me natyrë seksuale)

Është një term i përdorur për të përshkruar dërgimin e mesazheve, fotove me përmbajtje erotike dhe seksuale kryesisht nëpërmjet celularëve. Ndonëse dërgimi i këtyre përmbatjeve mund të jetë e dakordësuar ndërmjet njëri-tjetrit, mund të ndodhë që këto përmbatje të përfundojnë duke qarkulluar në internet, kryesisht kur marrëdheniet marrin fund. Edhe pse në shumicën e rasteve nis si një lojë mes adoleshentëve, shpërndarësi i materialeve e humbet kontrollin mbi imazhet dhe shkakton ndjesi turpi tek viktima, të cilat mund të jenë potencialisht shkatërruese.