ALO 116111 OFRON NGA SOT NJË PLATFORMË TË VEÇANTË PËR RAPORTIMIN E DHUNËS NDAJ FËMIJËVE NË SHQIPËRI
Për herë të parë, një platformë që mundëson raportimin urgjent dhe të drejtpërdrejtë të të gjitha rasteve të dhunës fizike, seksuale, psikologjike por edhe të shfrytëzimit të fëmijëve dhe adoleshentëve në vendin tonë
ALO 116111-Linja Kombëtare e Këshillimit për Fëmijë më mbështetjen e UNICEF dhe Bashkimit Evropian në Shqipëri solli sot Platformën “RAPORTO TANI!”, e para e këtij lloji online. Ajo i mundëson fëmijëve që të raportojnë në çfarëdo lloj momenti të ditës dhe nga cilado hapësirë gjeografike e Shqipërisë shkeljen e të drejtave të tyre..
Të gjithë fëmijët dhe adoleshentët në Shqipëri, nëpërmjet platformës online www.alo116.al dhe aplikacionit telefonik ALO116111nga dita e sotme, do të munden, që vetëm me një klikim të raportojnë nga çdo pajisje teknologjike rastet e dhunës, abuzimit apo bullzmit ndaj fëmijëve.
Përveç pjesës së raportimit kjo faqe ofron dhe një mënyrë ndërvepruese komunikimi nëpërmjet një hapësirë të dedikuar chat-i ku fëmijët dhe të rinjtë mund të flasin në kohe reale me këshilluesin për çdo problem dhe shqetësim që ata hasin në përditshmërinë e tyre. Nga ana tjetër, platforma www.alo116.al dhe aplikacioni ALO116111 janë dizenjuar edhe si një hapësirë këshillimi për fëmijët dhe prindërit. Jo vetëm fëmijët dhe adoleshentët të cilët mund të jenë viktima të dhunës, bullzmit, shfrytëzimit e neglizhimit, por edhe familjet e tyre, prindërit, kujdestarët, etj, do të kenë të mundur të gjejnë mbështetje e këshillim në këtë platformë, vetëm me një klikim.
ALO 116111, që prej krijimit të saj kishte në përdorim linjën e telefonit si një prej teknologjive që i jepte mundësi fëmijëve të raportonin dhunën ndaj tyre. Por përdorimi i madh i internetit dhe mundësitë e tjera të tij, apo edhe lidhja që fëmijët dhe adoleshentët kanë me teknologjinë, e shtyu ALO 116111 që në konsultim me UNICEF Shqipëri të ofrojë dy zgjidhje të reja të raportimit të dhunës në vendin tonë. Kjo edhe në ndihmë të atyre fëmijëve me nevoja të veçanta, të cilët kanë mundësi të përdorin internetin për të raportuar. Platformat e raportimit të bazuara në internet dhe aplikacionet mobile konsiderohen edhe si një avantazh për zbulimin e rasteve të dhunës, abuzimit, neglizhimit dhe shfrytëzimit duke siguruar anonimitet dhe besueshmëri. Platforma e bazuar në internet dhe aplikacioni celular gjithashtu ofrojnë mundësinë që fëmijët me vështirësi dëgjimi ose të foluri të raportojnë dhunën dhe abuzimin.
Të gjitha këto hapësira që vijnë për herë të parë në Shqipëri në kuadër të mbrojtjes së fëmijëve nga dhuna e të gjitha formave, u prezantuan sot në aktivitetin e organizuar ng Linja Kombëtare ALO 116111. Në këtë event u detajuan të gjithë hapat që duhet të ndjekin fëmijët dhe adoleshentët për të arritur një raportim në kohë dhe të saktë.
Drejtori i ALO 116111 Z. Mirgit Vataj, gjatë prezantimit të platformës, nënvizoi se: “Kjo mundësi që i ofrohet sot fëmijëve në Shqipëri për të raportuar në çdo moment dhunën ndaj tyre, është një sfidë por edhe një përgjegjësi më tepër për të cilën psikologët, punonjësit socialë dhe i gjithë stafi i ALO 116111 po përgatitet për ta përballuar cilësisht. Ne ftojmë çdo fëmijë i cili ndjihet i kërcënuar apo i dhunuar të raportojë çdo ditë 24/7 pranë platformës www.alo116.al, aplikacionit telefonik ALO116111 dhe të bisedojëme ne për të marrë mbështetjen dhe për t’u referuar në shërbimet e nevojshme.”
Në prezantimin e kësaj plaftorme Zv. Ministri i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Z. Albert Nikolla theksoi faktin se: “Situata që paraqitet në Shqipëri përsa i përket fëmijëve dhe adoleshentëve dhe lidhja që ata kanë me teknologjinë, na vendos përballë përgjegjësive të reja dhe si ministri e linjës për mbrojtjen e fëmijëve ndjehemi të realizuar, kur arrijmë të krijojmë një lidhje të shpejtë midis fëmijëve viktima të dhunës dhe ekspertëve pavarësisht hapësirës gjeografike ku fëmijët ndodhen”.
Ky event u përshëndet edhe nga Dr Roberto de Bernardi, përfaqësues i UNICEF në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij ai theksoi se “Linjat e këshillimit për fëmijë dhe adoleshentë luajnë një rol të rëndësishëm në përmirësimin dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve. Emergjenca e tërmetit dhe kufizimet e pandemisë COVID-19 ndikuan në sistemin e mbrojtjes së fëmijëve në vend. Si pasojë e tyre, u vështirësua parandalimi dhe reagimi në kohë ndaj dhunës kundër fëmijëve. Fëmijët mbështeten tek ALO 116 111 dhe sistemi i mbrojtjes së fëmijëve për t’i mbrojtur ata nga dhuna në familje, shkollë dhe në shoqëri. Ne duhet të sigurohemi që t’i dëgjojmë nevojat e tyre dhe t’u qëndrojmë pranë në momentet më të vështira. Jemi mirënjohës që me mbështetjen e partnerëve tanë të zhvillimit po nxisim fëmijët të raportojnë rastet e dhunës dhe abuzimit. Përmes platformave të tyre të preferuara në internet dhe aplikacioneve në telefon, tani fëmijëve u ofrohet mundësia që zëri i tyre të dëgjohet në çdo moment”.
Znj. Petra Burcher, Shefe e Bashkëpunimit për Zhvillim pranë Ambasadës së Suedisë në Shqipëri gjatë fjalës së saj theksoi se “Është e mundur që dhuna të parandalohet, dhe është e mundur që fëmijët dhe të rinjtë të mbrohen nga dhuna dhe abuzimi. Një mënyrë është të mbeshtesim shërbime të mira, të besueshme, të arritshme dhe efektive si ALO 116 111 që i ndihmon fëmijët në çdo lloj situate apo nevoje që ata mund të kenë”. .
Gjatë këtij takimi Znj. Lenka Vitkova, Shefe e Operacioneve pranë Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri gjatë fjalës së saj theksoi se “Është esenciale rritja e kapaciteteve të fëmijëve në fushën e të drejtave të fëmijëve me mjete dhe mekanizma që mundësojnë aksesin, monitorimin, dhe të advokojnë për çështje që për to janë të rëndësishme. Jam e lumtur që ALO 116111 po mbështetet nga fondet e Bashkimit Evropian nëpërmjet projekteve të implementuara nga partnerët tanë si UNICEF dhe Terres des Hommes. Platforma www.alo116.al është një qasje e re në diversifikimin e shërbimit për t’i dhënë mundësi fëmijëve të raportojnë çdo rast dhune. Raportimet do të adresojnë nevojat e grupeve vulnerabël të fëmijëve dhe familjeve të prekura nga COVID-19 për të rritur aksesin në shërbimet sociale, edukuese si dhe shërbimet psiko-sociale”.
Gjatë aktivitetit pjesëmarrësit paten kënaqësinë të ndiqnin prezantimin e aplikacionit ALO 116111 nga vetë të rinjtë e Bordit të Fëmijëve të ALO 116. Bordi ka një kontribut të veçantë në konceptimin dhe përmirësimin e vetë aplikacionit, duke e bërë atë më miqësor për brezin e ri.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të programit të ALO 116111 me mbështetjen e UNICEF në Shqipëri në kuadër të programit rajonal “Zbutja e ndikimit të COVID -19 në jetën e fëmijëve dhe familjeve në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi”.
Linja 116111 është e para linjë në Shqipëri që në vitin 2009 e cila ka ofruar shërbime për fëmijët 24/7. Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijë, është një shërbim falas këshillimi dhe referimi për fëmijët dhe adoleshentët.