Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ditën e sotme u nënshkrua Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të fëmijëve(CRCA).
Kjo marrëveshje ka si objektiv publikimin e “fëmijëve të humbur”, në faqen e internetit të Rrjetit Global të Fëmijëve të Humbur (GMCN), me qëllim gjetjen dhe rikthimin e fëmijëve pranë prindërve apo familjeve të tyre.
Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Hysni Burgaj, falënderoi përfaqësuesit e Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA/DCI), për punën dhe përpjekjet e përbashkëta për të finalizuar këtë marrëveshje të ndërsjelltë bashkëpunimi.
“Nevoja e bashkëpunimit në këtë fushë u evidentua gjatë organizimit të Seminarit Kombëtar mbi “Fëmijët e Humbur në Shqipëri”, ku ndër të tjera u prezantua puna e bërë nga ana e Qendrës Ndërkombëtare për Fëmijët e Humbur dhe të Shfrytëzuar (ICMEC) me seli në SHBA , për krijimin e një “Rrjeti Global për Fëmijët e Humbur”. Në këtë rrjet global bëjnë pjesë 18 shtete të ndryshme nga e gjithë bota, me përfaqësues si nga shoqëria civile ashtu dhe nga strukturat policore, të cilët punojnë së bashku për gjetjen e kësaj kategorie fëmijësh.
Do te inkurajoja që në çdo hap të këtij bashkëpunimi të ndërsjelltë të veprohet gjithnjë dhe ekskluzivisht në interesin më të lartë të fëmijëve.”, theksoi z. Burgaj.
Ndërkohë, Drejtori i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, z. Altin Hazizaj, duke falenderuar për bashkëpunimin e shkëlqyer të deritanishëm me Policinë e Shtetit dhe UNICEF, e vlerësoi si shumë të rëndësishëm nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.
“Kjo është një arritje e policisë në radhë të parë por edhe e shoqërisë civile. Bashkëpunimi që ne po nënshkruajmë sot në lidhje me portalin, i jep mundësinë Policisë Shqiptare që të bëhet pjesë e rrjetit pan-evropian por edhe pan-global të policive të vendeve më të zhvilluara të botës. Pjesë e rrjetit global janë thuajse të gjitha policitë e vendeve evropiane, përfshirë këtu edhe FBI-në, Policinë australiane, etj. Kështu që në këtë aspekt edhe Policia shqiptare përpos bashkëpunimit do të përfitojë nga nismat dhe nga eksperiencat më të mira të policive më të zhvilluara të botës.”, theksoi z.Hazizaj.
Vlerësime për nënshkrimin e kësaj marrëveshje janë dhënë edhe nga Menaxherja e përgjithshme e linjës telefonike të fëmijëve (Alo 116), Zj. Belioza Çoku, e cila theksoi se: “Angazhimi dhe suporti i pamunguar 24 orë deri më sot në terren i Policisë së Shtetit, më në fund edhe po institucionalizohet në hapa konkretë dhe shërbime më cilësore për fëmijët.”
Ndërsa përfaqësuesi i z. Detlef Palm shprehu kënaqësinë e tij që Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me CRCA dhe Rrjetin Global për Fëmijët e Humbur kanë rënë dakord që të bashkëpunojnë në lidhje më çështjen e fëmijëve të humbur. “Shqipëria fatmirësisht nuk ka shumë raste të fëmijëve të humbur, megjithatë me hapjen e Shqipërisë dhe ardhjen akoma më shumë të turistëve në këtë vend, këto raste mund të shtohen. Në këtë aspekt, është e rëndësishme që të ketë një sistem të koordinimit, shkëmbimit të informacionit të ndërsjelltë dhe besimit, në mënyrë që fëmijët të asistohen që në momentin e parë që ata kanë humbur.” Në fund, z. Palm i ka uruar suksese të mëtejshme në këtë bashkëpunim të shkëlqyer mes palëve pjesëmarrëse në këtë marrëveshje.
Në përfundim të ceremonisë së organizuar me këtë rast, u bë nënshkrimi i Marrëveshjes së bashkëpunimit nga Drejtori i Përgjithshëm z. Hysni Burgaj dhe Drejtori i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri z. Altin Hazizaj.