Maj,2018 – Stafi i ALO 116 – Linjës Kombëtare të Këshillimit të Fëmijëve me mbështetjen e UNICEF mbyll fazën e dytë të fushatës ndërgjegjësuese “Unë dhe ALO 116” në shkollat 9-vecare dhe gjimnazet e Tiranës.
Fushata ndërgjegjësuese edhe kësaj rradhe kishte synim të informonte dhe ndërgjegjësonte fëmijët dhe të rinjte e qytetit të Tiranës mbi të drejtat, detyrat dhe shërbimet e ALO 116. Fushata e ndërgjegjësimit të ALO 116 zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Arsimit. Ajo zhvillohet në formën e një ore ndërgjegjësuese dhe bashkëbisedimi të lirë midis fëmijëve dhe stafit të ALO 116 me qëllim njohjen e Linjës Kombëtare – ALO 116.
Kjo fazë u ndal në 10 shkolla publike të rrethit të Tiranës ku morën pjesë më shumë se 1000 nxënës. Kjo fushatë u zhvillua në periudhën Shkurt-Maj 2018.
Pas prezantimit të punës së ALO 116, misionit, qëllimit dhe aktiviteteve që ALO 116 zhvillon për të avancuar të drejtat e fëmijëve në vend, nisi seanca pyetje-përgjigje të cilën nxënësit e shfrytëzuan për të ngritur shqetësimet, opinionet dhe këndvështrimet e tyre. Gjatë prezantimit u diskutua në lidhje me të drejtat e fëmijëve dhe shërbimet e linjës së vetme të këshillimit për fëmijë e të rinj në Shqipëri – ALO 116, e cila këshillon, informon dhe referon 24 orë në ditë, 7 ditë të javës. Materialet ndërgjegjësuese të ALO 116 u shpërndanë për të gjithë nxënësit në fillim të prezantimit.
