ALO 116-000: Mbi 570 raste të fëmijëve të humbur në Shqipëri gjatë 5 viteve të fundit
Tiranë, 25 Maj 2026 – Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Fëmijët e Humbur, Linja Kombëtare për Fëmijët e Humbur – ALO 116 000 dhe Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijë në Shqipëri – ALO 116 111 bëjnë thirrje për rritjen e vëmendjes publike dhe institucionale ndaj rasteve të fëmijëve të humbur dhe fëmijëve në rrezik shfrytëzimi në Shqipëri. Sipas Missing Children Europe, më shumë se 250,000 fëmijë raportohen të humbur çdo vit në Europë, duke e bërë mbrojtjen e fëmijëve dhe reagimin e shpejtë institucional një prioritet për çdo shtet.
Sipas të dhënave të përpunuara nga raportimet zyrtare të Policisë së Shtetit për periudhën 2020–2024, në Shqipëri janë raportuar gjithsej 576 raste të fëmijëve të humbur dhe të larguar nga banesa, ose mesatarisht rreth 120 raste çdo vit. Gjatë vitit 2020 janë raportuar 127 raste, në vitin 2021 janë raportuar 133 raste, në vitin 2022 janë raportuar 98 raste, në vitin 2023 janë raportuar 128 raste dhe gjatë vitit 2024 janë raportuar 90 raste.
Ndërkohë, 12 fëmijë vijojnë të mbeten ende të pagjetur prej vitesh, duke mbajtur familjet në pritje dhe pasiguri të vazhdueshme. Mes tyre përmenden: Bleona Mata, Azize Mirlak, Jasmina Jasharaj, Jonuz Luga, Julian Cela, Juliana Hoxha, Mateo Bejaj, Mitat Ibrahimi, Ndue Nikolla, Violeta Nikolla dhe Xhevair Gezdari.
ALO 116 000 dhe ALO 116 111 theksojnë se çdo rast i raportuar i një fëmije të humbur duhet trajtuar me prioritet maksimal përmes bashkëpunimit të menjëhershëm mes Policisë së Shtetit, strukturave të mbrojtjes së fëmijëve, shkollave, shërbimeve sociale dhe komunitetit.
Në të njëjtën kohë, organizatat ngrejnë shqetësimin për numrin e lartë të fëmijëve të identifikuar ndër vite në situata shfrytëzimi për përfitim ekonomik në rrugë dhe forma të tjera të shfrytëzimit jashtë internetit. Vetëm gjatë periudhës 2021 – Prill 2026 janë raportuar 1,431 raste të fëmijëve të shfrytëzuar, ndërsa numri i fëmijëve të përfshirë arrin në të paktën 1,680 fëmijë, prej të cilëve 701 djem, 612 vajza dhe 367 fëmijë me gjini të parapërcaktuar ose të paidentifikuar në raportim.
Sipas ALO 116 000 dhe ALO 116 111, këto të dhëna tregojnë se një numër i lartë fëmijësh vijojnë të ekspozohen ndaj situatave të rënda sociale dhe ekonomike, duke i vendosur ata në rrezik të shtuar për trafikim, shfrytëzim seksual, zhdukje, manipulim, dhunë dhe forma të tjera abuzimi. Fëmijët që jetojnë apo punojnë në rrugë mbeten ndër kategoritë më të pambrojtura dhe kërkojnë identifikim të hershëm, mbrojtje efektive dhe ndërhyrje të koordinuar institucionale.
Në këtë ditë ndërkombëtare, ALO 116 000 dhe ALO 116 111 ritheksojnë nevojën për forcimin e mekanizmave të reagimit të shpejtë, rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, në mënyrë që çdo fëmijë i humbur të kërkohet menjëherë dhe çdo fëmijë në rrezik të identifikohet dhe mbrohet në kohë.
Humbja e një fëmije nuk është vetëm një tragjedi familjare, por një përgjegjësi e përbashkët shoqërore dhe institucionale. Çdo fëmijë ka të drejtë të jetë i sigurt, i mbrojtur dhe pranë familjes së tij.
Për më shumë informacion, kontaktoni:
ALO 116-111 Shqipëri
E-mail: alo116@alo116.al
