TikTok platforma më problematike me 47% të rasteve të raportuara, 58% e incidenteve përfshijnë mesazhe kërcënuese dhe denigruese
Tiranë, 12 Shkurt 2026 – Qendra për Internet të Sigurt në Shqipëri – iSIGURT.al, në bashkëpunim me Linjën Kombëtare të Telefonit për Fëmijë ALO 116 111 dhe CRCA/ECPAT Shqipëri, organizuan në Piramidë Takimin e 11-të Kombëtar me temë: “A janë Fëmijët të Mbrojtur në Hapësirën Dixhitale në Shqipëri?”, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Internet të Sigurt. Aktiviteti bëri bashkë institucione, ekspertë dhe partnerë për të diskutuar rreziqet në rritje që prekin fëmijët në hapësirën online.
Një moment i veçantë iu dedikua DEBATI RINOR – “T’i mbyllim apo jo? Aksesi i fëmijëve dhe të rinjve në rrjetet sociale”, ku Ambasadorët e Rinj të Internetit të Sigurt zhvilluan një diskutim të hapur dhe kritik mbi kufizimin apo rregullimin e aksesit në rrjetet sociale. Të rinjtë ngritën dilemat mes ndalimit total dhe edukimit për përdorim të sigurt, duke kërkuar më shumë mbrojtje, transparencë nga platformat dhe përgjegjësi konkrete nga institucionet.
Gjatë takimit u prezantua raporti i ALO 116 111, “Zërat që Kërkojnë Mbrojtje – Statistikat e Rasteve të Dhunës ndaj Fëmijëve në Internet të Raportuara pranë ALO 116 111”, që paraqet analizën kombëtare të incidenteve online për vitin 2025. Që nga viti 2009, ALO 116 111 ka trajtuar 868,658 telefonata në nivel kombëtar. Vetëm në vitin 2025 janë regjistruar 9,042 telefonata dhe 566 komunikime përmes chat-it; 979 raste janë trajtuar përmes këshillimit, vlerësimit dhe referimit, prej të cilave 148 raste lidhen drejtpërdrejt me sigurinë në internet. Në total, 341 fëmijë dhe të rinj janë asistuar, 69 raste janë referuar tek institucionet dhe 89 URL me përmbajtje të dëmshme janë raportuar.
Raporti evidenton se 77% e fëmijëve të prekur nga incidentet online janë vajza, ndërsa grupmoshat më të rrezikuara mbeten 13–15 dhe 16–17 vjeç. TikTok rezulton platforma më problematike me 47% të rasteve të raportuara, ndërsa 58% e incidenteve përfshijnë mesazhe kërcënuese, denigruese ose ofenduese.
Gjetjet theksojnë nevojën për koordinim më të fortë institucional, protokolle të përbashkëta veprimi dhe trajnime të vazhdueshme për profesionistët. Dhuna online ndaj fëmijëve mbetet një realitet i përditshëm që kërkon reagim të menjëhershëm dhe trajtim si prioritet kombëtar për sigurinë dhe mirëqenien e tyre.
Për më shumë informacion:
ALO 116 111 Shqipëri
E-mail: alo116@alo116.al
