Tiranë, 25 Maj 2026 – Në kuadër të fushatës mbarëeuropiane #BlueForHope, të koordinuar nga Missing Children Europe me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve të Humbur, Shqipëria iu bashkua nismës simbolike të ndriçimit blu të monumenteve dhe institucioneve publike në të gjithë Europën. Si pjesë e këtij solidariteti europian, mbrëmjen e 25 Majit, Kryeministria e Shqipërisë u ndriçua blu, duke përcjellë një mesazh shprese, mbështetjeje dhe angazhimi për çdo fëmijë të humbur, të shfrytëzuar apo në nevojë për mbrojtje.
Nisma në Shqipëri u koordinua nga ALO 116 000 – Linja Kombëtare për Fëmijët e Humbur dhe ALO 116 111 – Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijë në Shqipëri, në kuadër të fushatës europiane #BlueForHope të iniciuar nga Missing Children Europe, e cila kulmoi me ndriçimin e mbi 200 monumenteve, institucioneve dhe ndërtesave ikonike në mbarë Europën. Në Shqipëri, figura publike kryesore që mbështeti fushatën ishte Luana Vjollca, e cila iu bashkua thirrjes për të rritur ndërgjegjësimin mbi çështjen e fëmijëve të humbur dhe fëmijëve në nevojë për mbrojtje. Njëkohësisht, mbështetja institucionale e Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, bëri të mundur realizimin e ndriçimit simbolik të Kryeministrisë me ngjyrë blu, duke mundësuar që edhe Shqipëria t’i bashkohej me sukses këtij mobilizimi europian në solidaritet me fëmijët e humbur dhe familjet e tyre.
Gjatë gjithë muajit maj 2026, fushata #BlueForHope në Shqipëri u mbështet nga mbi 30 personalitete dhe profesionistë të fushave të ndryshme, përfshirë gazetarë, avokatë, juristë, punonjës socialë, psikologë, drejtues të shërbimeve sociale në nivel vendor, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave që punojnë për mbrojtjen e fëmijëve. Përmes mesazheve sensibilizuese dhe angazhimit të tyre publik, ata kontribuuan në rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e reagimit të shpejtë në rastet e fëmijëve të humbur dhe mbrojtjen e fëmijëve të ekspozuar ndaj rreziqeve të ndryshme.
Fushata #BlueForHope synon të mbajë në qendër të vëmendjes publike fëmijët e humbur dhe të promovojë numrin europian 116 000, i cili ofron mbështetje për familjet dhe fëmijët në rastet e zhdukjes. Sipas Missing Children Europe, më shumë se 250,000 fëmijë raportohen të humbur çdo vit në Europë, duke e bërë mbrojtjen e fëmijëve dhe reagimin e shpejtë institucional një prioritet të vazhdueshëm në nivel europian.
Në Shqipëri, sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit për periudhën 2020–2024, janë raportuar 576 raste të fëmijëve të humbur dhe të larguar nga banesa, ose mesatarisht rreth 120 raste në vit. Ndërkohë, 12 fëmijë vijojnë të mbeten ende të pagjetur prej vitesh, duke mbajtur familjet e tyre në pritje dhe pasiguri të vazhdueshme.
Po ashtu, të dhënat e raportuara nga ALO 116 000 dhe ALO 116 111 tregojnë se gjatë periudhës 2021 – Prill 2026 janë identifikuar 1,431 raste të fëmijëve të shfrytëzuar, ku janë përfshirë të paktën 1,680 fëmijë. Këto shifra dëshmojnë se shumë fëmijë vijojnë të përballen me situata të rënda sociale dhe ekonomike, duke qenë të ekspozuar ndaj rreziqeve të trafikimit, shfrytëzimit seksual, zhdukjes, manipulimit, dhunës dhe formave të tjera të abuzimit.
Përmes fushatës #BlueForHope, ALO 116 000 dhe ALO 116 111 ritheksojnë nevojën për forcimin e mekanizmave të reagimit të shpejtë, rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, në mënyrë që çdo fëmijë i humbur të kërkohet menjëherë dhe çdo fëmijë në rrezik të identifikohet dhe të mbrohet në kohë.
Mesazhi që u përcoll nga ndriçimi blu i Kryeministrisë së Shqipërisë, së bashku me qindra monumente dhe institucione në të gjithë Europën, është i qartë: kërkimi për një fëmijë të humbur nuk ndalet kurrë. Çdo fëmijë meriton të jetë i sigurt, i mbrojtur dhe pranë familjes së tij. Shpresa duhet të mbetet gjithmonë e gjallë.
Për më shumë informacion, kontaktoni:
ALO 116-111 Shqipëri
E-mail: alo116@alo116.al
