Tiranë, 20 Nëntor 2025 – CRCA-ECPAT Shqipëri, ALO 116 dhe iSIGURT.al hapën sot zyrtarisht fushatën kombëtare kundër bullizmit dixhital ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve, një nismë e re sensibilizuese në kuadër të projektit “netSMARTkids”, me mbështetjen e Bashkimit Europian.
Fushata u lançua me një mesazh të posaçëm nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Prof. Dr. Evis Sala, e cila theksoi se bullizmi online nuk është një shqetësim kalimtar apo “fenomen i rrjeteve”, por një formë e vërtetë dhune që dëmton shëndetin mendor dhe emocional të fëmijëve.
Në fjalën e saj, Ministrja Sala u shpreh: “Edhe një fëmijë që lëndohet online është shumë. Prandaj sot po i japim fushatës një zë të fortë dhe të përbashkët. Çdo prind, çdo mësues, çdo punonjës i mbrojtjes së fëmijëve, çdo institucion dhe çdo qytetar ka rol për të mbrojtur fëmijët tanë. Bullizmi nuk është thjesht fjalë në ekran. Është dhimbje që fëmijët e përjetojnë gjatë, në heshtje.”
Hapja e fushatës përkoi me Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës, për të sjellë në vëmendjen e politikëbërësve, publikut të gjerë, familjeve dhe vetë fëmijëve rëndësinë e çdo përpjekjeje kundër dhunës ndaj fëmijëve, përfshirë bullizmin ndërmjet tyre.
Drejtori i CRCA Shqipëri, Altin Hazizaj, theksoi se shqetësimi është ngritur prej kohësh:
“CRCA, ALO 116 dhe iSIGURT prej vitesh kanë paralajmëruar se bullizmi është kthyer në një rrezik serioz për jetën dhe mirëqenien e fëmijëve. Familjet, institucionet dhe shoqëria ende nuk e kanë kuptuar plotësisht sa i madh është ky kërcënim. Kjo është arsyeja pse vendosëm të bashkoheshim në këtë fushatë. Kjo është fushata më e madhe online që kemi organizuar ndonjëherë në historinë tonë të përbashkët.”
Fushata vjen në një moment kur rastet e dhunës kibernetike janë rritur ndjeshëm. iSIGURT.al – Qendra Kombëtare për Internet të Sigurt në Shqipëri – raportoi një trefishim të rasteve të bullizmit kibernetik krahasuar me një vit më parë. Tendencë të ngjashme raporton edhe Linja Kombëtare e Ndihmës për Fëmijët ALO 116.
Fushata do të zgjasë deri në fund të janarit 2026 dhe do të përfshijë rreth 100 personalitete nga politika, arti, shoqëria civile dhe akademia. Mesazhi që e udhëheq fushatën, “Edhe një fëmijë është shumë”, synon të theksojë mbrojtjen, ndërgjegjësimin dhe angazhimin e të gjithë shoqërisë për t’i dhënë fund bullizmit online.
