Tiranë, 30 Janar 2026 – Linja Kombëtare e Nihmës për Fëmijët në Shqipëri-ALO 116 111, ka përmbyllur përgatitjet për Ditën e Internetit të Sigurt 2026 (Safer Internet Day – SID), një nismë globale që synon rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve në hapësirën dixhitale. Për Shqipërinë, SID 2026 shënon vitin e 20-të radhazi të organizimit të aktiviteteve kombëtare në kuadër të kësaj dite.
Si çdo vit, ALO 116 111 ka ftuar institucionet publike, shkollat, organizatat e shoqërisë civile, median, prindërit, ekspertët dhe industrinë e internetit të bëhen pjesë e kësaj fushate ndërkombëtare, përmes organizimit të aktiviteteve që promovojnë përdorimin e sigurt, të përgjegjshëm dhe pozitiv të internetit nga fëmijët dhe të rinjtë në Shqipëri.
Aktivitetet kryesore të planifikuara për SID 2026
Fushata Kombëtare “Bullizmi nuk është lojë” do të nisë në rrjetet sociale dhe do të shtrihet në shkolla dhe qendra rinore në të gjithë vendin, në bashkëpunim me autoritetet publike, organizatat e shoqërisë civile dhe partnerë nga industria e internetit. Më 10 shkurt, në Ditën e Internetit të Sigurt, ora e parë e mësimit në shkollat publike do t’i kushtohet informimit të nxënësve mbi bullizmin në internet, rreziqet online dhe mënyrat e raportimit. Paralelisht, do të zhvillohen takime ndërgjegjësuese me prindër, mësues dhe nxënës në komunitete të ndryshme në mbarë Shqipërinë.
Forumi i 10-të Kombëtar për Internet më të Sigurt – Në kuadër të SID 2026 do të organizohet Forumi i 10-të Kombëtar për Sigurinë Online, i fokusuar në parandalimin dhe adresimin e dhunës në internet ndaj fëmijëve dhe grupeve të tjera vulnerabël. Forumi do të mbledhë përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizata të shoqërisë civile, ekspertë dhe aktorë të industrisë.
Publikimi i Raportit Kombëtar mbi Incidentet Online ndaj Fëmijëve 2025 – Gjatë Forumit do të prezantohen gjetjet kryesore të Raportit Kombëtar mbi Incidentet Online ndaj Fëmijëve dhe të Rinjve në Shqipëri për vitin 2025.
Krijimi i Aleancës Kombëtare kundër Bullizmit Kibernetik– Një tjetër nismë e rëndësishme e SID 2026 është krijimi i Aleancës Kombëtare kundër Bullizmit në Internet, një rrjet informal organizatash, ekspertësh dhe institucionesh që synon të forcojë avokimin për sigurinë dhe mbrojtjen në hapësirën dixhitale, me fokus të veçantë te fëmijët dhe të rinjtë.
Hapja zyrtare e Youth Media Lab Albania – SID 2026 shënon gjithashtu hapjen zyrtare të Youth Media Lab Albania, një hapësirë e dedikuar për fëmijët dhe të rinjtë, ku ata bashkë-krijojnë materiale edukative dhe ndërgjegjësuese për bashkëmoshatarët e tyre, duke zhvilluar aftësi dixhitale, mediatike dhe qytetare.
Publikimi i udhëzuesve për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe prindërit e tyre – në partneritet me organizata që ofrojnë shërbime për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara, do të publikohen udhëzues të posaçëm për përdorimin e sigurt të internetit, të përshtatur sipas nevojave të tyre specifike.
Në përputhje me mesazhin e Ditës së Internetit të Sigurt “Së bashku për një internet më të mirë”, ALO 116 111 punon çdo ditë për fuqizimin e fëmijëve, prindërve, mësuesve dhe komuniteteve, duke ofruar mbështetje konfidenciale, këshillim dhe bashkëpunim me institucionet për mbrojtjen e fëmijëve në hapësirën dixhitale. Gjatë SID 2026, një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe Ligjit për Shërbimet Dixhitale (DSA) dhe procesit të përafrimit të kuadrit ligjor shqiptar me atë të Bashkimit Europian.
Dita e Internetit të Sigurt 2026 do të mbahet më 10 shkurt 2026, duke sjellë së bashku partnerë nga e gjithë bota për një internet më të sigurt, më të përgjegjshëm dhe më gjithëpërfshirës.
Për më shumë informacion:
alo116.al
