Publikohet Raporti Evropian për Shëndetin Mendor të Fëmijëve: Roli i Linjave të Ndihmës për Fëmijët në Mbështetjen e Shëndetit Mendor të të Rinjve
Tiranë, 4/11/2024 — Sot, Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijë në Shqipëri – ALO 116 111 njoftoi publikimin e raportit të fundit të Child Helpline International (CHI), rrjeti ndërkombëtar i linjave telefonike për fëmijë ku ALO 116 111 është anëtare me të drejta të plota që nga viti 2012. Raporti, i titulluar “Supporting Children & Young People’s Mental Health in Europe: The Impact and Role of Child Helplines” (Mbështetja e Shëndetit Mendor të Fëmijëve dhe të Rinjve në Evropë: Ndikimi dhe Roli i Linjave të Ndihmës për Fëmijët), përmbledh të dhëna nga 30 linja ndihme në Evropë dhe nxjerr në pah sfidat e mëdha që përballojnë të rinjtë, përfshirë depresionin, ankthin dhe vetë-lëndimin.
Fakte kryesore nga raporti:
- Çrregullimet e humorit (Mood disorders), përfshirë depresionin dhe ndjenjën e vetmisë, përbëjnë thuajse 200,000 sesione këshillimi për të rinjtë në tre vitet e fundit.
- Ankthi dhe frika, që prekin rreth një të pestën e të gjitha kontakteve për shëndet mendor, janë gjithashtu shqetësime të zakonshme për të rinjtë, ndërkohë që tendencat tregojnë rritje të shqetësimeve që lidhen me mendimet vetëvrasëse dhe vetë-lëndimin.
- Mendimet vetëvrasëse kanë përbërë 18.5% të të gjitha kontakteve për shëndet mendor në vitin 2022, duke shënuar një rritje nga 16.7% në vitin 2020 – një tregues që kërkon veprime urgjente për të adresuar krizën e shëndetit mendor te të rinjtë.
“Ky raport nënvizon rolin vendimtar të linjave të ndihmës për fëmijët në mbështetjen e shëndetit mendor të të rinjve,” thotë Belioza Çoku, Drejtore Ekzekutive e ALO 116 111. “ALO 116 111 ofron një hapësirë të sigurt për fëmijët shqiptarë, duke ndihmuar në parandalimin e krizave dhe ofrimin e mbështetjes që shumë prej tyre e kanë të vështirë ta kërkojnë në familje apo institucione.”
ALO 116 111 është pjesë e numrit të harmonizuar evropian 116 111, që ofron shërbime të unifikuara dhe të aksesueshme për fëmijët në shumë vende të Evropës, duke siguruar një platformë të sigurt për të kërkuar ndihmë. Linja vepron si një pikë e parë kontakti për shumë fëmijë, duke i ndihmuar ata të marrin mbështetje para se problemet e tyre të përkeqësohen. Për më shumë informacion mbi raportin dhe për të organizuar një prezantim mbi punën e ALO 116 111 në fushën e shëndetit mendor të fëmijëve, ju lutemi kontaktoni në adresën alo116@alo116.al.