ALO 116 111: Alarm për sigurinë online! TikTok platforma më problemantike për fëmijët, 63% e rasteve përfshijnë mesazhe kërcënuese dhe denigruese!
Tiranë, 13 Shkurt 2025 – Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijë në Shqipëri – ALO 116-111, në bashkëpunim me Qendrën për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri – CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Platformën Kombëtare iSIGURT.al, organizuan sot Forumin e 10-të Kombëtar: “Së Bashku Kundër Bullizmit dhe Gjuhës së Urrejtjes në Hapësirën Kibernetike”. Forumi mblodhi së bashku institucionet dhe organizatat kryesore të shoqërisë civile si pjesë e Komitetit Organizator, duke përfshirë Policinë e Shtetit, Agjencinë Shtetërore për të Drejtat e Fëmijëve, Save the Children, AKSSK dhe Shërbimin Social Shtetëror. Ky event theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për të luftuar fenomenet e bullizmit dhe gjuhës së urrejtjes në mjedisin dixhital, duke garantuar mbrojtjen dhe sigurinë e fëmijëve dhe të rinjve.
Gjatë aktivitetit të sotëm, u prezantua raporti vjetor mbi të dhënat e Linjës Kombëtare të Telefonit për Fëmijë – ALO 116-111, e cila, tashmë në vitin e saj të 15-të të funksionimit si një shërbim dhe mekanizëm kombëtar i konsoliduar, ka trajtuar një total prej 860,465 telefonatash gjatë periudhës 2009-2024. Për periudhën janar-dhjetor 2024, numri i telefonatave hyrëse ka arritur në 16,722, nga të cilat 1,465 raste janë trajtuar përmes këshillimit, vlerësimit dhe referimit. Ndër këto, 93 raste lidhen me sigurinë në internet, ku janë ndihmuar dhe asistuar 119 fëmijë, adoleshentë dhe të rinj në mbarë vendin.
Në aspektin gjinor, raporti vijon të evidentojë një shqetësim serioz, duke treguar se vajzat mbeten viktimat kryesore të incidenteve online me 66% të rasteve, ndërsa djemtë përbëjnë 34% të rasteve të raportuara. Grupmoshat më të prekura nga çështjet e sigurisë në internet për vitin 2024 janë 16-17 vjeç dhe 13-15 vjeç, duke reflektuar rrezikun e shtuar për këto kategori të fëmijëve dhe të rinjve. Në lidhje me platformat ku ndodhin më shpesh incidentet, TikTok vijon të kryesojë listën, duke përfaqësuar 64% të rasteve të raportuara nga fëmijët dhe të rinjtë, i ndjekur nga Instagram me 21% dhe Facebook me 4% të incidenteve të raportuara.
Sa i përket tipologjisë së incidenteve të raportuara pranë ALO 116-111, kategoria kryesore vijon të mbetet postimi i mesazheve denigruese, kërcënuese ose ofenduese, që përbën 63% të rasteve të referuara nga fëmijët dhe të rinjtë. 19% e incidenteve lidhen me vjedhjen e fotove dhe videove në rrjetet sociale, ndërsa në vend të tretë, me 6% të rasteve, renditet fenomeni i pornografisë hakmarrëse.
“Këto të dhëna tregojnë qartë nevojën urgjente për forcimin e mekanizmave mbrojtës për sigurinë dixhitale të fëmijëve dhe të rinjve. Edukimi dhe ndërgjegjësimi mbi rreziqet e hapësirës kibernetike mbeten thelbësore për të parandaluar dhe adresuar këto sfida në mënyrë efektive.” – u shpreh Belioza Çoku, Drejtoreshë e ALO 116-111.
Forumin e nderoi me pjesëmarrjen e saj znj. Arta Dade, Presidente e Bordit të CRCA, e cila, pasi përgëzoi ekipet për punën e tyre të shkëlqyer, theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit që duhet të nisë nga prindërit dhe institucionet. Ajo nënvizoi nevojën për forcimin e strukturave të profesionistëve, të cilët duhet të luajnë një rol kyç në mbështetjen e fëmijëve në mjedisin online, duke ofruar udhëzimet e nevojshme.
Në prezantimin e raportit vjetor, ALO 116-111 theksoi nevojën urgjente për masa të reja në mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet online. Rekomandimet kryesore përfshijnë forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe trajnimin e vazhdueshëm të profesionistëve, për të garantuar mbështetje më efektive. Po ashtu, prindërit duhet të luajnë një rol aktiv në edukimin për sigurinë dixhitale, duke vendosur kufizime dhe duke ndërtuar një komunikim të hapur me fëmijët. Integrimi i sigurisë dixhitale në kurrikulë, ofrimi i shërbimeve këshilluese dhe seminaret për prindërit janë hapa kyç për ndërgjegjësimin e komunitetit. Gjithashtu, raportimi i përgjegjshëm mediatik dhe promovimi i platformave të sigurta mbeten thelbësore për të krijuar një mjedis dixhital më të mbrojtur për të rinjtë.
Vetëm përmes një qasjeje të integruar mund të ofrohet një mbrojtje më efektive për fëmijët dhe të rinjtë ndaj rreziqeve të internetit.
Për më shumë informacion, kontaktoni:
ALO 116-111 Shqipëri
E-mail: alo116@alo116.al