Tiranë, 7 Korrik 2026 – Në kuadër të zbatimit të projektit “netSMARTkids2 – Hapësira Digjitale më të Sigurta për Fëmijët dhe të Rinjtë në Shqipëri”, i mbështetur nga Bashkimi Europian në kuadër të Programit Digital Europe dhe që synon të promovojë sigurinë, mbrojtjen dhe mirëqenien digjitale të fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri, ALO 116111 – Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijë në Shqipëri ka nisur procesin e konsultimit me ekspertë të fushës për përditësimin e procedurave të saj të punës, me qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve dhe forcimin e mekanizmave të mbrojtjes së fëmijëve, veçanërisht në lidhje me sfidat dhe rreziqet që lidhen me mjedisin digjital.
Në përputhje me objektivat e projektit për adresimin e sfidave dhe rreziqeve në rritje që lidhen me përdorimin e internetit dhe teknologjive digjitale nga fëmijët dhe të rinjtë, ky proces synon harmonizimin e procedurave të ALO 116-111 me standardet dhe praktikat më të mira evropiane dhe ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, sigurisë online dhe funksionimit të linjave të ndihmës për fëmijë.
Përditësimi i procedurave bazohet në qasjet dhe standardet e promovuara nga Better Internet for Kids (BIK+), Child Helpline International, Insafe dhe INHOPE, duke kontribuar në forcimin e një qasjeje të unifikuar dhe të bazuar në standarde ndërkombëtare për parandalimin, identifikimin, trajtimin dhe referimin e rasteve që lidhen me mbrojtjen e fëmijëve online.
Procesi i rishikimit mbështetet gjithashtu në përvojën shumëvjeçare të ALO 116-111 si linja kombëtare e ndihmës për fëmijët, e cila ofron shërbime këshillimi, informacioni dhe referimi 24 orë në ditë, 7 ditë në javë për fëmijët dhe të rinjtë në të gjithë Shqipërinë. Në këtë kuadër, procedurat e reja do të forcojnë më tej mekanizmat për menaxhimin e rasteve, koordinimin ndërinstitucional, mbrojtjen e konfidencialitetit, respektimin e interesit më të lartë të fëmijës dhe garantimin e një qasjeje të orientuar drejt nevojave të fëmijëve.
Përditësimi përfshin rishikimin dhe përmirësimin e procedurave për menaxhimin e rasteve, protokollet e referimit, trajtimin e raportimeve që lidhen me sigurinë në internet, bashkëpunimin me institucionet përgjegjëse, mbrojtjen e të dhënave personale dhe garantimin e standardeve të larta të konfidencialitetit dhe shërbimeve të orientuara drejt fëmijës. Një vëmendje e veçantë do t’u kushtohet rasteve që lidhen me bullizmin online, shfrytëzimin dhe abuzimin seksual të fëmijëve në internet, ekspozimin ndaj përmbajtjeve të dëmshme, si dhe formave të tjera të rrezikut digjital që prekin fëmijët dhe adoleshentët.
Në përputhje me praktikat e rrjeteve evropiane të sigurisë online, procesi synon gjithashtu forcimin e bashkëpunimit ndërmjet ALO 116-111, institucioneve të mbrojtjes së fëmijëve, agjencive ligjzbatuese, sektorit të arsimit, organizatave të shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë relevantë, me qëllim sigurimin e një reagimi të koordinuar dhe efektiv ndaj rasteve që kërkojnë ndërhyrje dhe mbështetje.
Përmes këtij përditësimi, ALO 116-111 synon të rrisë më tej kapacitetet e saj profesionale dhe institucionale për t’iu përgjigjur në mënyrë më efektive nevojave të fëmijëve, të rinjve dhe familjeve, duke ofruar mbështetje të sigurt, të aksesueshme dhe të përshtatur me sfidat e reja të epokës digjitale.
Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sistemit kombëtar të mbrojtjes së fëmijëve online dhe realizimit të objektivave të projektit NetSmartKids 2 për një internet më të sigurt, më gjithëpërfshirës dhe më mbështetës për fëmijët në Shqipëri. Përmes harmonizimit me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, ALO 116-111 forcon më tej rolin e saj si një mekanizëm kyç i mbrojtjes së fëmijëve dhe promovimit të të drejtave të tyre në mjedisin digjital.
Për më shumë informacion, kontaktoni:
ALO 116-111 Shqipëri
E-mail: alo116@alo116.al
