473 FËMIJË TË SHFRYTËZUAR EKONOMIKISHT DHE JASHTË SISTEMIT ARSIMOR PËRGJATË VITIT 2024
Tiranë, 1 Qershor 2025-Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, ALO 116-111 sjell në vëmendje se fëmijët nuk janë thjesht e ardhmja, por e tashmja jonë, që kërkon përkushtim, vëmendje dhe mbrojtje çdo ditë.
Të dhënat e Raportit gjatë periudhës Janar-Dhjetor 2024 pranë ALO 116-111, tregojnë qartë për sfidat me të cilat përballen fëmijët në Shqipëri, sidomos lidhur me sigurinë online, shfrytëzimin dhe dhunën.
Gjatë vitit 2024, janë regjistruar 16,722 telefonata, prej të cilave 1,465 raste kanë kërkuar këshillim, vlerësim dhe referim. Ndër to, 119 raste kanë përfshirë fëmijë, adoleshentë dhe të rinj, ku 93% lidhen me rreziqet që vijnë nga interneti.
Fëmijët, veçanërisht vajzat (66% e rasteve), raportojnë më shpesh incidente në rrjete sociale si TikTok (64% e raportimeve), Instagram (21%) dhe Facebook (4%). Grupmoshat më të prekura janë 13-15 dhe 16-17 vjeç. Incidentet më shqetësuese lidhen me postime ofenduese, kërcënuese dhe denigruese (63%), vjedhjen e materialeve personale (19%)dhepornografinë hakmarrëse (6%).
Fëmijët kanë kërkuar ndihmë për tema që variojnë nga mendimet vetë-dëmtuese, dhuna në familje, marrëdhëniet me bashkëmoshatarët, e deri tek çështje të shëndetit dhe edukimit, duke reflektuar nevojën e thellë për mbështetje psiko-emocionale dhe ndërhyrje të hershme.
Në vitin 2024, janë identifikuar 256 raste të shfrytëzimit të fëmijëve për përfitime, që kanë prekur 473 fëmijë– përfshirë vajza, djem dhe fëmijë me gjini të papërcaktuar. Ndërsa për periudhën Janar-Prill 2025, janë raportuar 87 raste të tilla, që kanë prekur 190 fëmijë. Raste të përsëritura, të ndjekura nga Skuadrat e Terrenit, si dhe mungesa e marrjes së masave, vazhdojnë të jenë një sfidë serioze.
Pavarësisht përpjekjeve të Skuadrave të Terrenit, Punonjësve për Mbrojtjen e Fëmijëve, Njësive të Mbrojtjes së Fëmijëve dhe bashkëpunimit me institucione si Policia e Shtetit, Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve dhe platforma si iSIGURT.al, sfidat e koordinimit, kapacitetet e kufizuara dhe mungesa e ndarjes së informacionit mbeten pengesë për një reagim të shpejtë dhe efektiv.
Sot, më shumë se kurrë, bëjmë thirrje për:
- Forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe krijimin e mekanizmave të qëndrueshëm për koordinim dhe ndjekje të rasteve;
- Trajnim të vazhdueshëm të profesionistëve që punojnë me fëmijët në çdo nivel;
- Angazhim aktiv të prindërve për edukimin mbi rreziqet online dhe krijimin e një komunikimi të hapur në familje;
- Integrimin e sigurisë dixhitale në sistemin arsimor, përmes orëve të posaçme, këshillimit në shkolla dhe seminareve për prindër;
- Rritjen e ndërgjegjësimit në media, duke raportuar me ndjeshmëri dhe përgjegjësi për temat që prekin fëmijët.
Në këtë 1 Qershor, le të kujtojmë se çdo fëmijë ka të drejtë të jetojë i mbrojtur, i lirë nga frika, dhuna dhe abuzimi dhe të gëzojë fëmijërinë e tij me dinjitet, dashuri dhe siguri.
