Tiranë, 23 Qershor 2025 – Linja Kombëtare e Ndihmës për Fëmijët në Shqipëri – ALO 116-111, si pjesë e programit netSMARTkids dhe punës së vazhdueshme mbi fëmijët dhe të rinjtë, në bashkëpunim me CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Platformën Kombëtare për Internet të Sigurt – iSIGURT.al, po marrin pjesë në Trajnimin Ndërkombëtar “Trajnim Konsultativ mbi Dëmet Online”, të organizuar nga Child Helpline International (CHI) në bashkëpunim me UNICEF nw Livingstone, Zambia.
Gjatë këtij takimi me pjesëmarrjen e mbi 30 profesionistëve të linjave të ndihmës për fëmijët dhe partnerëve ndërkombëtarë, ALO 116-111 u ftua të prezantojë Modelin e Ambasadorëve të Internetit të Sigurt, një iniciativë kjo që ndihmon fëmijët dhe të rinjtë për të edukuar dhe për të qënë aktivë në parandalimin e rreziqeve në internet.
Ambasadorët e trajnuar nga ALO 116-111 luajnë një rol të rëndësishëm duke informuar bashkëmoshatarët e tyre mbi përdorimin e sigurt të internetit, rreziqet e bullizmit online, ekspozimit ndaj përmbajtjes së dëmshme dhe ndikimin e teknologjisë në shëndetin mendor. Modeli shqiptar u cilësua mjaft frymëzues, duke i’u bashkëngjitur kështu dhe eksperiencave të tjera ndërkombëtare nga Nepali apo Tanzania.
Gjatë ditës së dytë dhe të tretë të trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me përvoja të ndryshme lidhur me mbrojtjen e fëmijëve, përdorimin e linjave të ndihmës në situata emergjente, si dhe trajtimin e rreziqeve të abuzimit seksual tashmë edhe më e lehtësuar nga teknologjia. Takimi u mbyll me prezantimin e angazhimeve rajonale dhe dakordësinë për zbatimin e “Deklaratës së Livingstone”, një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar për një internet më të sigurt për fëmijët.
Trajnimi, i cili shërben si bazë për zhvillimin e një manuali ndërkombëtar për Trajnim të Trajnerëve (ToT), synon të forcojë kapacitetet e linjave të ndihmës për të reaguar dhe parandaluar katër forma kryesore të dëmeve online ndaj fëmijëve përfshirë: Bullizmi dhe ngacmimet online; Abuzimi dhe shfrytëzimi seksual i lehtësuar nga teknologjia; Ekspozimi ndaj përmbajtjes së dëmshme dhe Ndikimi negativ i internetit në shëndetin mendor.
Linja Kombëtare e Ndihmës për Fëmijët në Shqipëri – ALO 116-111 ka kënaqësinë të jetë një ndër kontribuesit kryesorë në zhvillimin e manualit të ri për trajnimin e profesionistëve që merren me mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet online, duke sjellë kështu një njohje më të gjerë ndërkombëtare për Shqipërinë dhe një hap më tej në mbrojtjen në internet të fëmijëve dhe të rinjve.
Për më shumë info, kontaktoni:
E-mail: alo116@alo116.al ose isigurt@crca.al
