91 raste të mendimeve dhe sjelljeve vetëdëmtuese u raportuan gjatë vitit 2025, ndërsa mijëra fëmijë kërkuan mbështetje për dhunë, bullizëm dhe rreziqe online.
Tiranë, 10 Mars 2026 – Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijë në Shqipëri ALO 116-111 publikon raportin për vitin 2025, i cili tregon një rritje të kërkesës për mbështetje nga fëmijët dhe adoleshentët, si dhe një shtim të rasteve të dhunës, problemeve të shëndetit mendor dhe rreziqeve në internet.
Gjatë periudhës janar–dhjetor 2025, linja ka pritur dhe trajtuar 9,607 telefonata dhe komunikime përmes chat-it, nga të cilat 566 raste janë menaxhuar online. Shërbimi funksionon 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë, duke ofruar këshillim psikologjik, informacion dhe ndërhyrje për situata që cenojnë sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve. Një nga gjetjet kryesore të raportit është numri i lartë i rasteve që kërkojnë ndërhyrje mbrojtëse. Gjatë vitit 2025 janë menaxhuar 897 raste të dhunës, abuzimit, neglizhimit dhe shfrytëzimit të fëmijëve, ndërsa mbi 1,060 fëmijë dhe të rinj kanë përfituar mbështetje psiko-sociale dhe shërbime mbrojtëse.
Raporti evidenton gjithashtu një rritje të problematikave që lidhen me sigurinë në internet, me 178 raste të raportuara, që përfshijnë bullizmin dixhital, kontaktet e papërshtatshme dhe shpërndarjen e materialeve abuzuese. Megjithatë, një nga zhvillimet më shqetësuese lidhet me përkeqësimin e shëndetit mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve. Gjatë vitit 2025 janë regjistruar 91 raste të mendimeve dhe sjelljeve vetëdëmtuese, një rritje dramatike krahasuar me vetëm 2 raste në vitin 2021, duke sinjalizuar një nevojë urgjente për mbështetje më të madhe psikologjike për të rinjtë. Raporti evidenton gjithashtu 44 raste të dhunës në familje ndaj fëmijëve, 16 raste bullizmi në shkollë, 144 raste të shfrytëzimit të fëmijëve për përfitim, si dhe 10 raste të ngacmimit seksual, që përbëjnë trauma serioze për zhvillimin emocional dhe social të tyre.
Nga pikëpamja gjeografike, numri më i madh i rasteve vjen nga Tirana, Durrësi, Elbasani dhe Vlora, ndërsa grupmosha më aktive që kërkon ndihmë është ajo e adoleshentëve 13–17 vjeç. Të dhënat tregojnë gjithashtu se vajzat raportojnë më shpesh shqetësime emocionale dhe raste bullizmi, ndërsa djemtë raportojnë më shpesh konflikte fizike dhe dhunë mes bashkëmoshatarëve.
Përveç ofrimit të mbështetjes psiko-emocionale përmes telefonit dhe chatit si dhe menaxhimit të rasteve, gjatë vitit 2025 ALO 116-111 ka zhvilluar edhe një seri aktivitete ndërgjegjësuese në shkolla dhe fushata informuese për sigurinë e fëmijëve. Sesione edukimi janë zhvilluar në 172 shkolla, duke përfshirë 7,621 nxënës dhe mbi 690 mësues dhe prindër, ndërsa fushatat online dhe në media kanë arritur mbi 31,000 të rinj e të reja, mësues, prindër dhe qytetarë.
Si një shërbim falas dhe konfidencial, ALO 116-111 mbetet mekanizmi kryesor i mbrojtjes për fëmijët në Shqipëri, duke ofruar mbështetje për çdo fëmijë, prind apo qytetar që kërkon ndihmë ose dëshiron të raportojë raste që cenojnë sigurinë dhe të drejtat e fëmijëve.
Për më shumë informacion, kontaktoni:
ALO 116-111 Shqipëri
E-mail: alo116@alo116.al
