21 Shtator 2015, Athinë – Linja Kombëtare e Këshillimit ë Fëmijëve – ALO 116 dhe pjesëtarja e Bordit të Fëmijëve të ALO 116, Sara Brari u bënë sot pjesë e aktivitetit lançues të Këshillit Konsultativ Rinor Europian (E-YAC) të Linjës Ndërkombëtare të Këshillimit të Fëmijëve-CHI, organizuar në Athinë pranë linjës së telefonit dhe organizatës greke “Smile of Child”.
Sara Brari, anëtare e bordit të fëmijëve të ALO 116 që prej themelimit të saj, është e vetmja përfaqësuese e Shqipërisë në Këshillin Konsultativ Rinor Europian së bashku me përfaqësues nga Greqia, Kroacia dhe Holanda. ALO 116 me mbështetjen e CRCA Shqipëri dhe UNICEF prej vitit 2009 ka punuar për fuqizimin e fëmijëve dhe të rinjve pranë linjës së këshillimit për të lobuar dhe avokuar për të drejtat e fëmijëve në Shqipëri.
Takimi i parë i E-YAC u zhvillua në Athine më 20 dhe 21 Shtator 2015. Ky event synoi lançimin e këshillit konsultativ rinor të CHI për Europën, këshill i cili ka si qëllim kryesor të drejtojë vemendjen mbi rëndësinë e linjave të fëmijëve dhe të lobojë për avancimin e të drejtave të fëmijëve në kontinentin e vjetër. Anëtarët e këshillit patën mundësinë të zhvillonin një sesion në radion e rrjetit rinor “You Smile” si dhe të zhvillonin një vizitë studimore pranë linjës së telefonit të fëmijëve “Smile of Child”.
Këshilli Konsultativ Rinor Europian (E-YAC) në muajin korrik, me anë të një thirrje të hapur pranoi kandidatura nga të gjitha linjat europiane për tu bërë pjesë e kësaj strukture rinore. Kandidatura e propozuar nga ALO 116 u mirëprit me konsideratë dhe entuziazëm nga komisioni i vlerësimit duke u përzgjedhur anëtare. Tashmë zëri i fëmijëve shqiptarë i bashkohet zërave të fëmijëve nga e gjithe Europa për të promovuar të drejtat e fëmijëve si dhe mbrojtjen e tyre nga dhuna, neglizhimi dhe shfrytëzimi.
Këshilli Konsultativ Rinor u lançua në vitin 2014 dhe aktualisht përbëhet nga shtatë të rinj të angazhuar për të kontribuar në suksesin dhe mirëqenien e brezit të tyre. Këshilli Europian synon ti bashkohet këtij këshilli duke sjellë prespektivën europiane dhe zërin e fëmijëve të këtij rajoni. Aktivitetet dhe nismat e ndryshme që ky këshill do të ndërmarrë do të ushqejnë iniciativat dhe do të hedhin dritë mbi punën dhe rëndësinë e Linjave të Këshillimit të Fëmijëve në çdo vend të botës.
Sara Brari, është 19 vjeç dhe studion financë. Ajo është bërë pjesë e Bordit të ALO 116 që prej 2009 duke u aktivizuar në një sërë nismash me fokus të drejtat e fëmijëve. Aktivizmi dhe dedikimi i saj gjatë këtyre viteve kanë bërë që zëri i ALO 116 të dëgjohet në shumë forume brenda dhe jashte vendit.
Për më shume informacion vizitoni faqen: https://www.alo116.al/; https://www.facebook.com/ALO116?fref=ts
