Tiranë 23 Prill 2013- Takimi i radhës koordinues me partnerët e ALO 116- Linjës Kombëtare të Këshillimit për Fëmijë në Shqipëri, u organizua më 23 Prill 2013, pranë zyrave të UNICEF Shqipëri.
Takimin e hapi znj.Belioza Çoku, menaxhere e përgjithshme e ALO 116, e cila falenderoi pjesmarrësit për mbështetjen dhe bashkëpunimin e tyre të deri tanishëm.
Më pas znj. Çoku njohu pjesmarrësit me aktivitetet e zhvilluara nga ALO 116 gjatë vitit 2012 duke u fokusuar tek aktivitetet dhe konferencat ndërkombëtare.
Në vijim të takimit znj.Çoku bëri një analizë të raportit vjetor 2012 të ALO 116 duke u ndalur tek numri i telefonatave, tipi i telefonatave, gjinia e telefonuesve, shpërndarja gjeografike, tipologjinë e rasteve të trajtuara si dhe referimi i rasteve tek institucionet dhe organizatat partnere. Gjithashtu, ajo pasqyroi problematikat dhe sfidat që duhen zgjidhur për një shërbim më cilësor të ALO 116 – Linjës Kombëtare të Këshillimit për Fëmijë.
Në fund të prezantimit znj. Çoku paraqiti çështjet për diskutim bazuar në axhendën e takimit të cilat ishin:
- Sistemi i referimit në Shqipëri dhe sfidat e sistemit;
- Nevoja për koordinim dhe bashkëpunim midis partnerësve, në rritjen e cilësisë së shërbimeve;
Për secilën çështje, pjesmarrësit dhanë komente dhe sugjerime ku u përqendruan në vështirësitë për të referuar raste si dhe vështirësinë në menaxhimin e rastit. Argumentet kryesore u përqendruan në përmirësimin e sistemit të referimit dhe menaxhimit të rasteve, pasi në shumë raste CPU-të dhe organizatat referojnë raste të përsëritura midis njëri-tjeterit, duke reflektuar në shumë raste fryrje artificiale të numrit real të rasteve dhe pamundësi, për ndjekjen e ecurisë së rasteve. Kjo vjen si rezultat i mangësive në sistemin e mbrojtjes së fëmijëve, përsa i përket përgjigjes në kohë me shërbime cilësore dhe staf të të mjaftueshëm në numër për ofrimin e shërbimeve të kualifikuara.
Gjithashtu një problematikë tjetër e cila u diskutua ka të bëjë me shkëmbimin e informacionit ndërmjet organizatave, me qëllim verfikimin e ecurisë së trajtimit të rastit.
Pjesmarrësit diskutuan rreth VKM-së, për Mekanizimin e Referimit, i cila lë hapësira per interpretimin dhe menaxhimin e rasteve si dhe detyrave dhe përgjegjësitë që ka secili institucion për menxhimin dhe ofrimin e shërbimeve.
Në fund të takimit u dol me një sërë rekomandimesh lidhur me ndjekjen dhe trajtimin e rasteve por edhe përmirësimin e mekanizmave të referimit si:
Rekomandimet e takimit:
• Të krijohet një database për identifikimin e rasteve, duke i dhënë prioritet parimit të ruajtjes së konfidencialitetit;
• Të hartohet një plan për monitorimin e ecurisë së procesit të referimit;
• Shërbimi social dhe shërbimet rajonale të jenë rojtarët e sistemit;
• Të krijohen praktika pozitive dhe kanale komunikimi për shkëmbimin e informacionit midis ofruesve të shërbimeve për fëmijët;
• Mekanizmi I referimit të përmirësohet në pjesët ku ka boshllëqe;
• Të ngrihet një komisioner për të drejtat e fëmijëve me qëllim që të përfeksionohet menaxhimi I rasteve;
• Të unifikohet një formë referimi midis partnerëve, si një element lehtësues për përmirësimin e punës në ofrimin e shërbimeve.
