AMC dhe ALO 116-Linja Kombetare e Keshillimit per Femije nis fushatën kombëtare për ndërgjegjësimin e publikut të gjerë në lidhje me përdorimin e sigurt të internetit. Fushata do të shtrihet në 60 shkolla nëntëvjecare në të gjithë vendin, duke synuar së pari ndërgjegjësimin e nxënësve, prindërve dhe mësuesve mbi shfrytëzimin sa më të mirë dhe të parrezikshëm të internetit.
Aktiviteti që çeli fushatën u zhvillua në kuadër të ditës botërore të internetit të sigurt. Dita e Internetit të Sigurt mbahet çdo vit në muajin shkurt dhe në qendër ka përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të teknologjisë ‘online’, duke e vënë theksin tek fëmijët dhe të rinjtë. Qëllimi i këtyre aktiviteteve është informimi, por edhe thirrja për të bashkërenduar përpjekjet e të gjithë aktorëve, prindër, mësues e fëmijë, që përvojat “online” të fëmijëve të jenë vetëm pozitive.
Me këtë rast, AMC dhe Alo 116 organizuan një aktivitet informues në shkollën Dora D’Istria, në Tiranë. Përfaqësues të kompanisë AMC dhe të Linjës së Ndihmës për Fëmijët, Alo 116, informuan nxënësit dhe mësuesit e pranishëm për zhvillimet botërore në teknologji dhe mënyrat për mbrojtjen e qytetarëve dhe sidomos të fëmijëve, nga përmbajtja e papërshtatshme që mund të aksesohet në internet apo që shënjestron përdoruesit, shpesh duke paraqitur rrezikshmëri të lartë.
Gjatë fushatës do të shpërndahet informacion i përgatitur posaçërisht për këtë çështje, i cili përmban këshilla për prindërit dhe fëmijët, me temë përdorimin e internetit me siguri dhe përgjegjësi. Informacionin e plotë e gjeni në faqen e internetit dhe në dyqanet AMC.
