THIRRJE PUBLIKE
Tiranë, 12 Gusht 2013 – Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri – CRCA, i bën thirrje publike Kryetarit të Bashkisë së Tiranës z. Lulëzim Basha dhe Këshillit Bashkiak Tiranë, që në funksion të funksioneve dhe detyrimeve ligjore që kanë, të reagojnë pa humbur kohë për të mbrojtur dhe për t’i dhënë zgjidhje çështjes së strehimit të 37 familjeve Rome, që banonin pranë ish-Qëndrës së Realizimit të Veprave të Artit, në Rrugën e Kavajës.
CRCA Shqipëri, nëpërmjet verifikimeve në terren dhe informacionit të mbledhur nga media, vlerëson se në këtë zonë jetojnë rreth 37 familje Rome, shumica e tyre të ardhura në Tiranë qysh në vitet 90. Këto familje, midis të cilave edhe dhjetra foshnja, prej disa ditësh qëndrojnë në qiell të hapur, duke përballuar kështu me urinë, skamjen dhe temperaturat e larta të stinës.
Me anë të kësaj Thirrje të Hapur, CRCA Shqipëri kërkon të sjellë në vemendjen e Kryetarit të Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës, se në bazë të Kushtetutës dhe Konventës për të Drejtat e Fëmijës, është përgjegjësi e tyre direkte për t’i garantuar ҫdo fëmije një mjedis të përshtatshëm për të jetuar dhe zhvilluar. Mos përmbushja e këtij detyrimi është një shkelje e të drejtave të fëmijëve dhe atyre të njeriut!
Kërkesa jonë është: STREHONI FAMILJET ROME! Ato kanë nevojë për më shumë se kurrë për të parë që Qeveria e tyre lokale është e përgjegjshme dhe di ti jap zgjidhje problemeve të qytetarëve. E kundërta do të vërtetonte që pushteti lokal në Tiranë diskriminon qytetarët e saj për shkak të ngjyrës, gjuhës, kulturës dhe zakoneve.
CRCA Shqipëri shpreh mbështetjen e saj ndaj institucioneve kombëtare të të drejtave dhe lirive të njeriut si dhe të gjitha organizatave Rome që duke përdorur të gjitha mjetet demokratike sot kanë protestuar për të kërkuar mbrojtjen e tyre nga Bashkia Tiranë.
Nga ana tjetër ne i drejtohemi të gjithë qytetarëve të Tiranës, për të mbështetur kërkesat e komunitetit Rom për zgjidhjen e çështjes së strehimit dhe brenda mundësive të tyre të ndihmojnë e asistojnë fëmijët dhe familjet e tyre, që janë duke jetuar në kushte ekstreme dhe për më tepër përjashta.
