Tiranë, 20 Nëntor 2011 – Qëndra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri – CRCA / DCI Shqipëri në partneritet me Aleancën e Fëmijëve-Rajoni Tiranë, “TAMAM” dhe “La casa del cuore”, organizojnë diten e diele një festë me dhe për fëmijët në Tiranë, në veçanti për fëmijët që kanë braktisur shkollën, ata në vështirësi social-ekonomike dhe fëmijët e traumatizuar nga ngjarja e Gërdecit.
Aktiviteti organizohet në kuadër të 20 Nëntorit – Ditës Ndërkombëtare të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve (KDF-së). Eventi mbështetet nga UNICEF dhe zhvillohet nga ora 11.00-13.00 pranë Kompleksit Sportiv Dinamo.
Qëllimi i aktivitetit është “Njohja e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve dhe promovimi i saj si një e drejtë e patjetërsueshme për fëmijët, nëpërmjet ndërthurjes së aktiviteteve edukative dhe argëtuese, ku vetë fëmijët janë organizatorë dhe pjesmarrës në të gjitha nivelet.
Në këtë aktivitet do të marrin pjesë fëmijë, prindër, grupi i animatorëve socialë, staf i Linjës së Telefonit për Fëmijë – ALO 116, partnerë të institucioneve publike dhe jo publike që punojnë me dhe për fëmijët.
Këtë 20 Nëntor, do jenë vetë fëmijët që do flasin me zërin e tyre, për ato dëshira dhe nevoja që ata aq shpesh i kërkojnë. Do të jenë vetë atë që do të rekomandojnë aktorët përgjegjës, nëpërmjet lojës, bisedave dhe aktiviteteve zhvilluese.
Në fund të aktivitetit në një çarçaf të madh, fëmijët do të lënë mesazhe apo simbole që referojnë nevojën e tyre për respektimin e të drejtave dhe rritjen e pjesmarrjes së fëmijëve në vendimet që i përkasin atyre.
Punimet që fëmijët do të realizojnë do të ruhen në një kënd të vecantë, i cili do të pasurohet nga fëmijët edhe në aktivitete të tjera vijuese gjatë vitit 2011.
JU MIRËPRESIM! “BASHKOHU ME NE PËR TË DREJTAT TONA!”