Tiranë, 10 Qershor 2025-Një lajm i gëzueshëm vjen sot për vajzën e mitur 14-vjeçare, me inicialin N., e cila u gjet e sigurt dhe tashmë ndodhet pranë familjes së saj.
Që prej momentit të denoncimit të humbjes së saj pranë Komisariatit të Policisë Nr. 2 në Tiranë, të gjitha strukturat për mbrojtjen e fëmijëve dhe institucionet përgjegjëse bashkëpunuan ngushtësisht për të siguruar gjetjen e saj të shpejtë dhe të sigurt. Ky bashkëpunim përfshiu ALO 116-111, ALO 116-000, Njësinë për Mbrojtjen e Fëmijëve në Bashkinë e Tiranës, punonjësen për mbrojtjen e fëmijëve në njësinë administrative përkatëse, familjen e vajzës, si dhe më së shumti Komisariatin e Policisë Nr. 2 në Tiranë.
Vajza ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe psikologjike. ALO 116 111, në bashkëpunim me punonjësen për mbrojtjen e fëmijëve dhe strukturat përkatëse të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve, do të vijojnë me hapat e mëtejshëm të koordinimit për të siguruar ofrimin e asistencës së nevojshme profesionale, psiko-emocionale dhe mbështetjes për vajzën dhe familjen e saj.
Ky rast është një dëshmi e qartë e fuqisë së bashkëpunimit ndërinstitucional dhe e përkushtimit të institucioneve shqiptare për sigurinë dhe mirëqenien e çdo fëmije në vendin tonë.
Një falënderim i veçantë shkon për mediat online që bashkëpunuan në mënyrë të strukturuar dhe efektive me ALO 116-111 dhe strukturat e tjera përgjegjëse gjatë këtij procesi.
ALO 116-111 është një shërbim kombëtar pa pagesë për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë në Shqipëri. Shërbimi është aktiv 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, duke ofruar dëgjim aktiv, këshillim psikologjik dhe referim për raste të dhunës, abuzimit dhe shfrytëzimit.
ALO 116-000, në të njëjtën kohë, është linja zyrtare kombëtare për fëmijët e humbur në Shqipëri. Ajo ndihmon familjet për të raportuar, ndjekur dhe adresuar rastet e humbjes së fëmijëve apo largimeve nga shtëpia.
Gjetja me sukses e vajzës është një tregues i qartë se kur bashkëpunojmë për fëmijët, gjithçka është e mundur!
