ALO 116 000 Shqipëri pjesë e një prej nismave më të suksesshme në Europë për parandalimin e “joshjes seksuale online”, duke arritur mbi 1.3 milionë ekspozime në nivel kombëtar.
Tiranë, 27/3/2026: ALO 116 000 në Shqipëri ishte pjesë e një prej fushatave më të suksesshme europiane për parandalimin e “joshjes seksuale online” të fëmijëve, një fenomen gjithnjë në rritje që lidhet drejtpërdrejt me abuzimin seksual, trafikimin dhe zhdukjen e fëmijëve.
Fushata, e zhvilluar në platformën Snapchat në kuadër të projektit europian “Counter Online Grooming (COG) / Lufta kundër joshjes seksuale online të fëmijëve” dhe e koordinuar nga Missing Children Europe, u realizua përgjatë periudhës 10 shkurt – 15 mars 2026, duke arritur rezultate të jashtëzakonshme në vetëm 23 ditë.
Sipas raportit përfundimtar të fushatës, mesazhet ndërgjegjësuese arritën mbi 144 milionë reagime në të gjithë Europën, duke ekspozuar çdo ditë miliona të rinj ndaj mesazheve për mbrojtjen nga rreziqet online. Ky rezultat e rendit këtë iniciativë ndër fushatat më me ndikim të realizuara ndonjëherë nga organizatat e shoqërisë civile në hapësirën digjitale.
Në Shqipëri, ALO 116 000 kontribuoi në zbatimin e fushatës përmes përhapjes së mesazheve në gjuhën shqipe dhe promovimit të mekanizmave të raportimit dhe mbështetjes për fëmijët. Fushata arriti mbi 1.3 milionë reagime, duke targetuar kryesisht adoleshentë të moshës 13–17 vjeç, grupi më i ekspozuar ndaj rreziqeve të komunikimit online.
Qëllimi kryesor i fushatës ishte të ndihmonte të rinjtë:
- të njohin sjelljet e papërshtatshme dhe manipuluese online,
- të kuptojnë se përgjegjësia është gjithmonë tek i rrituri abuzues,
- të kërkojnë ndihmë tek një i rritur i besuar,
- dhe të raportojnë rastet përmes linjave të dedikuara si 116 000 / 116 111.
Një element kyç i kësaj nisme ishte përdorimi i platformave që të rinjtë përdorin çdo ditë, si Snapchat, duke e bërë ndërhyrjen parandaluese më të drejtpërdrejtë, më të besueshme dhe më efektive.
Rezultatet e kësaj fushate dëshmojnë qartë fuqinë e partneriteteve strategjike me platformat e mëdha digjitale për të arritur tek fëmijët dhe të rinjtë në kohë reale, aty ku rreziqet lindin dhe zhvillohen.
ALO 116 000 dhe ALO 116 111 mbetet e angazhuar për të forcuar më tej ndërgjegjësimin dhe mbrojtjen e fëmijëve në hapësirën digjitale, duke vijuar bashkëpunimin me rrjetet europiane dhe partnerët ndërkombëtarë për iniciativa të reja në të ardhmen.
Për më shumë informacion, kontaktoni:
ALO 116-111 Shqipëri
E-mail: alo116@alo116.al
