Tiranë, 14 Janar 2012 – Alo 116, Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijët, njofton se nga sot të gjithë fëmijët anembanë Shqipërisë mund të marrin në telefon pranë ALO 116 dhe të kërkojnë ndihmë, duke përdorur numrin e tyre me kompaninë celulare Plus.
Në fillim të muajit Janar, kompania celulare PLUS Communication, në kuadrin e politikave dhe pergjegjësive sociale të kompanisë, bëri të mundur lidhjen e ALO 116 me rrjetin e saj, duke iu mundësuar të gjithë fëmijëve në të gjithë Shqipërinë akses 24 orë pa pagesë në shërbimin ALO 116.
ALO 116 është një shërbim kombëtar telefonie falas që ka si qëllim të asistojë fëmijët anembanë Shqipërisë në momentet më delikate të jetës së tyre, duke i ofruar atyre mbrojtje nga dhuna, neglizhimi e shfrytëzimi. ALO 116 mbështetet nga CRCA dhe UNICEF.
Z. Julien Coustaury, Drejtor i Përgjithshëm dhe administrator i Plus
Communication tha:” Të qenit një kompani me përgjegjësi sociale është pjesë shumë e rëndësishme e të gjitha vendimeve tona. Duke qenë një biznes 100 përqind shqiptar, kjo përgjegjësi kthehet në një detyrë.”
Altin Hazizaj, Drejtor i Përgjithshëm i CRCA, tha: “Ky është një hap shumë i rëndësishëm drejt bashkëpunimit ndërmjet OJF-ve dhe bizneseve private në vend. PLUS tashmë bëhet pjesë e listës së kompanive që kontribuojnë për të krijuar një mjedis sa më të sigurtë dhe më të përshtatshëm për mirëqnien e fëmijëve në Shqipëri.”
ALO 116 është krenare që gjatë 4 viteve të punës sonë dhe fal mbështetjes së kompanive të telefonisë, ne i jemi përgjigur më shumë se 420.000 telefonatave të fëmijëve, prindërve dhe profesionistëve që punojnë për fëmijët në Shqipëri.
