Të Nderuar miq dhe partnerë,
Në 1 Qershor 2009, në hapjen zyrtare të Linjës Kombëtare të Telefonit për Fëmijët, një fëmijë i quajtur Frenkli, telefonoi për herë të parë shërbimin më të ri në vend: ALO 116. Ajo telefonatë hapi një rrugë të re në marrëdhëniet e fëmijëve me shërbimet e mbrojtjes dhe përkujdesit social në Shqipëri, falë mbështetjes së jashtëzakonshme të UNICEF, AMC, Albtelekom, AKEP, Eagle Mobile dhe Vodafone.
ALO 116 është i vetmi shërbim social i mbrojtjes së fëmijëve në vend, që i përgjigjet fëmijëve apo çdo personi që punon dhe kujdeset për ta 24 orë në ditë në 7 ditë të javës.
Qëllimi kryesor i punës tonë, është mbrojtja e fëmijëve në situata risku dhe referimi sa më i shpejtë në shërbimet ekzistuese të sistemit të mbrojtjes të fëmijëve në vend, që nga viti në vit po vjen duke u rritur dhe forcuar.
Parimi kryesor i punës sonë të përditshme është respekti, pjesmarrja dhe mirëqenia e fëmijëve, ruajtja e konfidencialitetit dhe ndërgjegjësimi publik per të drejtat e tyre.
Ne sot jemi krenarë që gjatë 3 viteve të punës sonë, i jemi përgjigjur më shumë se 412.617 telefonatave të fëmijëve dhe kemi ndihmuar nga afër me shërbime dhe këshillim 11.132 fëmijë dhe adoleshentë në të gjithë Shqipërinë.
Në ditëlindjen e 3-të të ALO 16, ne duam të ndajmë me ju, raportin e punës sonë gjatë vitit 2011, për t’ju prezantuar edhe se cilat janë nevojat dhe shqetësimet që fëmijët raportojnë pranë Linjës Kombëtare të Telefonit për Fëmijët në Shqipëri.
Këtij rrugetimi, nuk mund t’i mungoni të gjithë ju që na jeni bashkuar dhe na jeni gjendur pranë, sa herë që ALO 116 ju ka kërkuar ndihmë, ju ka kërkuar të ofroni një shërbim të zyrës suaj, apo të kujdeseni për një fëmijë në një situatë risku dhe emergjence.
Faleminderit nga ALO 116!
KUR NJË FËMIJË TELEFONON NE PËRGJIGJEMI GJITHMONË!