Je student i shkencave sociale dhe dëshiron të bësh një ndryshim të vërtetë në jetën e fëmijëve dhe të rinjve? Kjo është mundësia jote!
Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijë – ALO 116-111 hap thirrjen për studentë të angazhuar dhe pasionuar për t’iu bashkuar #SuperSkuadrësALO116-111, një grup vullnetarësh që punojnë për të mbrojtur dhe fuqizuar fëmijët dhe të rinjtë në Shqipëri.
ÇFARË ËSHTË ALO 116-111?
ALO 116-111 është shërbimi i parë dhe i vetëm kombëtar falas i këshillimit për fëmijët dhe të rinjtë deri në moshën 18 vjeç, duke ofruar mbështetje emocionale, psikologjike, informacion dhe referime për raste dhune, abuzimi, bullizmi apo çështje të tjera që prekin mirëqenien e tyre. Me një eksperiencë mbi 15-vjeçare, ALO 116-111 është një zë i besuar për fëmijët dhe familjet në nevojë.
PSE TË BËHESH PJESË E #SUPERSKUADRËS?
Që nga krijimi i saj në vitin 2021, #SuperSkuadra ka për qëllim të informojë dhe ndërgjegjësojë shoqërinë mbi raportimin dhe parandalimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe të rinjve.
Si çdo vit, edhe këtë vit ALO 116-111 është duke organizuar një Fushatë Kombëtare Informuese dhe Ndërgjegjësuese me nxënës, prindër dhe mësues, në të gjitha institucionet arsimore dhe komunitete në 12 qarqet e vendit. Për të lehtësuar procesin e komunikimit me fëmijët, të rinjtë dhe komunitetin, ALO 116-111 do të angazhojë në mënyrë aktive #SuperSkuadrën.
Si pjesë e #SuperSkuadrës, ti do të kesh mundësinë:
✅ Të organizosh dhe moderosh seanca ndërgjegjësuese në shkolla mbi të drejtat e fëmijëve dhe shërbimet që ofron ALO 116-111.
✅Të marrësh pjesë në fushata kombëtare informuese me nxënës, prindër dhe mësues në të gjithë Shqipërinë.
✅Të angazhohesh në eventet dhe aktivitetet vjetore të ALO 116-111.
✅Të trajnohesh nga ekspertë për komunikimin dhe ndërveprimin me fëmijët dhe komunitetin.
✅Të fitosh përvojë praktike dhe aftësi të vlefshme për karrierën tënde në fushën e shkencave sociale.
SI TË APLIKOSH?
Nëse dëshiron të bëhesh pjesë e #SuperSkuadrës, dërgo në emailin alo116@alo116.al me subjektin “Aplikim për #SuperSkuadrën e ALO 116-111”, dokumentet e mëposhtme:
📄 CV-në tënde
✉ Letër motivimi, ku shpjegon pse dëshiron të bëhesh pjesë e iniciativës tonë.
🕒 Afati i fundit për aplikim: 21 Mars 2025.
Mos e humb këtë mundësi unike për të dhënë kontributin tënd në shoqëri dhe për të ndikuar pozitivisht në jetën e fëmijëve dhe të rinjve!
Bëhu pjesë e #SuperSkuadrës dhe na ndihmo të krijojmë një të ardhme më të sigurt për ta! ✨